Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka reaguar Qeverisë së Kosovës, pasi thonë se po i anashkalojnë që disa herë takimet që po mbahen për masat antiCOVID-19.
Në njoftimin për media thuhet se ata nuk janë ftuar si anëtarë të Komitetit antiCOVID-19.
“Qeveria e Republikës së Kosovës përsëri i anashkaloi apo më mirë të themi i injoroi edhe një herë komunat e Republikës së Kosovës (për të disatën herë radhazi) sa i përket konsultave rreth situatës me pandemi COVID 19, duke mos e ftuar Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) si anëtar të Komitetit Anti COVID 19. Kjo tregon se AKK u përjashtua edhe një herë nga ky komitet, i cili nga komunat cilësohet si mekanizëm shumë i rëndësishëm në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID 19”, thuhet në komunikatë.
“Komunat janë të qytetarëve të saj dhe e kanë kryetarin që është zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, prandaj në asnjë mënyrë nuk bën të injorohen si të tilla. Jeta zhvillohet në komuna. Kryetarët e komunave që nga fillimi i pandemisë kanë qenë në ballë të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID 19 andaj kërkojmë që të bashkëpunoni ngushtë me të gjitha komunat dhe me AKK si përfaqësues i komunave, në mënyrë që situata me COVID të përballohet më lehtë. Si gjithnjë, edhe këtë herë komunat kërkojnë qasje konstruktive nga Qeveria e Republikës së Kosovës kundruall nivelit lokal. AKK është rikthyer në këtë komitet me vendim të ish ministrit Arben Vitia”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka filluar takimet konsultative në lidhje me masat antiCOVID.
Një takim i tillë është mbajtur të mërkurën, ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar për Telegrafin se masat janë duke u shqyrtuar.
“Po, ka pasur takime. Sot nuk pritet të merret ndonjë vendim në lidhje me masat antiCOVID-19 dhe është herët të flitet për këtë”, thanë për për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë.
Komiteti antiCOVID-19 gjatë ditës së djeshme kishte pasur një takim për shqyrtimin e masave.
Ndryshe, fillimi i muajit janar ka shënuar edhe rritjen e rasteve me coronavirus në vendin tonë. Në pesë ditët e para të vitit 2022 në Kosovë u konfirmuan gjithsej 329 raste të reja, ndërsa është shënuar edhe një viktimë, duke çuar në 2,991 numrin e personave që kanë humbur jetën nga virusi në Kosovë. /Telegrafi/