Telegrafi

“Asnjë përparim”: Ish-komandanti rus ‘i shqetësuar’ me zhvillimet e fundit në Donetsk të Ukrainës

Forcat ruse nuk po shohin “asnjë përparim” në një ofensivë kyçe, ndërsa kërkojnë të bëjnë përparime në rajonin e Donetskut të Ukrainës, sipas ish-komandantit rus Igor Girkin.

Sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, Girkin, një nacionalist rus që u bë i njohur gjatë aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, postoi përditësimet më të fundit nga vija e parë e luftës në Ukrainë.

Bëhet fjalë për njeriun i cili, megjithëse ka shprehur mbështetje për qëllimet e luftës në Ukrainë, ai është bërë gjithnjë e më kritik ndaj lidershipit të Kremlinit teksa pushtimi ka ngecur që nga fillimi, shkurtin e kaluar.

Ndryshe, pas më shumë se një viti të luftës, luftimet mbeten kryesisht të përqendruara në Ukrainën Lindore, duke përfshirë Donetsk, një nga dy rajonet që përbëjnë Donbasin, ndërsa trupat e Putinit luftojnë për të arritur fitore të konsiderueshme.

Lexo po ashtu Putini tani “ua ka vënë syrin” studentëve dhe të papunëve, premton shpërblime në para për të luftuar në Ukrainë

Trupat ruse synojnë të marrin nën kontroll disa qytete në këtë rajon, përfshirë Avdiivkën.

Megjithatë, përparimi i Rusisë në Avdiivka duket se po ngadalësohet, sipas Girkin.

“Nuk ka pasur asnjë përparim në dy ditët e fundit. Forcat e Armatosura të Ukrainës gjithashtu pësojnë humbje të mëdha, por … kjo betejë është e dobishme për ta. Sepse u lejon trupave të tyre të luftojnë, duke u mbështetur në strukturat mbrojtëse që janë ndërtuar për gati 9 vjet”, ka shkruar Girkin në postimin e tij në Telegram.

Megjithatë, ai tha se beson se trupat ruse po bëjnë më shumë përparime në Bakhmut, vendi i disa prej luftimeve më intensive të luftës Rusi-Ukrainë.

Por pavarësisht deklaratës së Girkinit, të tjerë kanë treguar se përpjekjet ruse për të marrë qytetin janë ngadalësuar.

Inteligjenca britanike sugjeroi se numri i sulmeve të reja ruse në qytet ra për shkak të një “shterimit” të trupave në fillim të marsit. /Telegrafi/