Telegrafi

Ashtu siç pritej, Kremlini ka nisur ta lidh Ukrainën me vrasjet në Moskë: Disa të dyshuar të arrestuar kishin kontakte me ukrainasit

Kremlini ka nisur ta lidh sulmin në Moskë me Ukrainën edhe pse Shteti Islamik e ka marr përgjegjësinë për vrasjet masive në kryeqytetin rus.

Media shtetërore ruse po raportojnë se shërbimet ruse të sigurisë (FSB) kanë thënë se të dyshuarit që mendohet të jenë të përfshirë në të shtënat në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” po tentonin të kalonin në Ukrainë.

Lexo po ashtu Kremlini pretendon se ka arrestuar 11 të dyshuar për vrasjet masive në Moskë - publikon pamje të armëve që thuhet se sulmuesit i lanë pas tyre

“Pas sulmit terrorist, kriminelët synonin të kalonin kufirin e Federatës Ruse e Ukrainës dhe kishin kontakte me ukrainasit”, citohet të ketë thënë FSB-ja, raporton skynews.

Komiteti hetimor i Rusisë ka thënë veçmas se gjithsej katër persona u arrestuan pranë kufirit me Ukrainën në rajonin Bryansk.

Lexo po ashtu Pamje të reja pas vrasjeve masive në Moskë - njëri prej të dyshuarve shihet duke u larguar me armë në dorë, dy të tjerë fotografohen në veturë

Ukraina ka mohuar me vendosmëri çdo përfshirje në këtë sulm, ku mbetën të vdekur të paktën 93 persona.

“Le të jemi të drejtë për këtë: Ukraina nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me këto ngjarje”, tha më parë Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndryshe, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për vrasjet, duke pretenduar se ka sulmuar një tubim të madh të të krishterëve në Krasnogorsk në periferi të Moskës. /Telegrafi/