Aleanca për Shqiptarët njofton se rritja çmimit të energjisë paralajmëron krizë të thellë dhe recesion, ndërsa kërkojnë nga Qeveria që të pranojë propozimet e tyre.
“Qeveria aktuale dhe KRRE me aprovimin e sistemit të ri tarifor për energjinë elektrike dhe rritjen marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë e sidomos për konsumatorët e biznesit të vogël, rritje e cila solli efekte të padëshiruara e negative në tregun ekonomik në vend.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur treguesit e varfërisë janë në rritje, ndërsa treguesit e zhvillimit ekonomik dhe ato të të ardhurave për qytetarët janë në rënie të vazhdueshme, është shprehje e një cinizmi të skajshëm, karakteristik për qeveritë që humbasin çdo lidhje me realitetin.
Gjatë muajit qershor 2022, KRRE aprovoi një rritje prej mbi 60% të çmimit të treguesit të furnizimit të energjisë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël, me çka çmimi final i furnizimit dhe distribuimit me energji elektrike ishte në nivelet prej 279 € per MWh, një çmim shumë herë më i lartë krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me disa vende të tjera anëtare të BE-së dhe me ekonomi më të zhvilluar. Ky çmim i lartë për këtë kategori konsumuese, ishte një goditje e rëndë dhe vrastare për biznesin e vogël, me çka shumë biznese u mbyllën në pamundësi për të ekzistuar, duke lënë pa punë mijëra familjarë”, thuhet në njoftimin e ASH-së.
Nga ASH thonë se i kanë propozuar Qeverisë që të aprovojë fasha (bllok) tarifa, ku në fashën e parë e të dytë çmimet të jenë më të ulëta e të arsyeshme, ndërsa fasha e tretë e ajo e katërt të kenë çmimet aktuale, por fatkeqësisht e njëjta nuk u pranua./Telegrafi/