Site icon Telegrafi

Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit dhe “reformat” në industrinë e filmit

Nga: Nicholas Barber / BBC (titulli origjinal: Will All Quiet on the Western Front win best picture Oscar?)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kanë qenë të lehta për parashikim, disa prej nominimeve për filmin më të mirë për çmimin Oscar të këtij viti. Për shembull, Fabelmans është letra e dashurisë për kinemanë e të nderuarit Steven Spielberg, kështu që kjo pritej. Top Gun: Maverick ishte një sukses komercial dhe kritik, kështu që mund t’ia dilte mbanë. Por, një film në listën e ngushtë i ka befasuar ekspertët: Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit (All Quiet on the Western Front). Përshtatur nga romani klasik i Luftës së Parë Botërore i shkrimtarit Erich Maria Remarque, pati shpërndarje të paktë nëpër kinema para se të transmetohej në Netflix; rolin kryesor aty e ka aktori austriak Felix Kammerer, i cili kurë më parë nuk ka qenë në ndonjë film; ndërsa regjisori Edward Berger shumicën e punës e ka bërë në televizion. Është po ashtu film gjerman – dhe asnjë film i mëparshëm gjerman nuk ka qenë ndonjëherë në garën për filmin më të mirë. Shumë kritikë prisnin që Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit do të dalë në listën e filmave më të mirë ndërkombëtarë, por jo vetëm që ka marrë nominimin për filmin më të mirë, por u fut edhe në tetë kategori të tjera. Dhe, më pas fitoi çmimin si filmi më i mirë në BAFTA, kështu që një film fillimisht i anashkaluar u bë shumë i preferuar. Paraqiste tronditje më e madhe për çmimet Oscar sesa kur Will Smithi e goditi Chris Rockun më 2022.

Megjithatë, ndoshta kjo është një mënyrë e vjetruar për ta parë këtë kështu. Çmimet Oscar dhe industria e filmit, në përgjithësi, kanë ndryshuar kohët e fundit – në të gjitha format dhe mënyrat radikale. E, nëse i bashkoni këto qasje, atëherë drama epike e luftës e Bergerit, papritmas duket si zgjidhja më logjike nga të gjithë filmat tjerë.

Një reformë e rëndësishme erdhi në vitin 2009, kur Akademia njoftoi se numri i filmave në kategorinë e filmit më të mirë po rritet nga pesë në dhjetë. Teorikisht, kjo lejonte filmat e tillë si The Dark Knight dhe Wall-E të nominoheshin për çmimin kryesor, pasi që të dy nuk ishin përfillur në fillim të atij viti. Në praktikë, filmat e suksesshëm ende nuk kanë shumë fat: Black Panther dhe Joker janë të vetmit filma me superheronj që janë përzgjedhur në listën e ngushtë – që nga viti 2009. Por, rregulli i ri bëri që filmat më të pazakontë të shfaqen në listën e filmave më të mirë – dhe më shumë filma që gjithashtu nuk janë në anglisht.

Deri në vitin 2018, vetëm nëntë filma të tillë kishin hyrë ndonjëherë në këtë kategori: një mesatare e përafërt prej një në çdo dekadë. Por, qëkur Roma e Alfonso Cuaróni u nominua për çmimin kryesor Oscar më 2019, çdo vit ishte një film kandidat që nuk ishte në gjuhën angleze – ndërsa filmi korean, Parasite, fitoi si filmi më i mirë në vitin 2020. “Sapo ta kapërceni pengesën një inç të gjatë në titra, do të njiheni me më shumë filma të mrekullueshëm”, ka thënë regjisori i filmit, Bong Joon-ho, kur e ka marrë statuetën.

Ai iu referohej hezitimit të disa audiencave anglishtfolëse për t’u përfshirë me filmat me titra, por ky ngurrim çuditërisht shumë shpejt është zhdukur. Një studim i publikuar i vitit 2021 zbuloi se katër nga pesë shikues të moshës 18 deri në 25-vjeçre i lëshojnë titrat kur e shohin televizorin – katër herë më shumë se shikuesit mes 56 dhe 75-vjeçare. Për të rinjtë që janë mësuar të shikojnë videot në celular, kudo ku ndodhen, titrat janë pjesë standarde e përvojës me ekranin, kështu që e kalojnë me lehtësi “barrierën një inç të gjatë”.

Ndërkohë, gjigantët e transmetimit në internet janë përqendruar në ndërtimin e bazave të veta të abonentëve anembanë globit, kështu që kanë financuar, shpërndarë dhe promovuar me entuziazëm filmat që nuk janë në gjuhën angleze – në mënyrën që studiot tradicionale të Hollivudit nuk mund ta bënin kurrë. Të dy filmat, Roma dhe Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit janë prodhime të Netflix-it. Squid Game nga Koreja e Jugut është seria më e ndjekur në Netflix dhe e njëjta platformë pati sukses të madh me Call My Agent! të Francës aq sa ribërja e mëvonshme në gjuhën angleze, Ten Percent, u ndje si humbje kohe. Filmat dhe seritë televizive ndërkombëtare nuk kanë qenë kurrë më të qasshme apo më të pranuara.

Sigurisht, Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit nuk do të ekzistonte në formën aktuale pa ndikimin – dhe paratë – e Netflix-it. Filmi është përshtatur nga rrëfimi në vetën e parë, në kohën e tashme të përvojës çnjerëzore të një ushtari gjerman në llogore. Im Westen nichts Neues (fjalë për fjalë, “Asgjë e re në Perëndim”) u botua më 1929 me vlerësime të larta dhe shitje prej më shumë se 1.5 milion kopjeve në vetëm atë vit. Një film amerikan me regji nga Lewis Milestone u realizua vitin e ardhshëm dhe e fitoi çmimin Oscar për regjisorin dhe filmin më të mirë. Një film televiziv doli në vitin 1979. Por, asnjëherë deri tash nuk ishte një film gjerman për këtë roman. “Filmat si ky nuk janë të lirë dhe janë të vështirë për t’u financuar”, i tha Bergeri gazetarit Demetrios Matheou të Screen Daily. “Zakonisht duhet gjuha angleze, me një yll që ta garanton atë lloj buxheti”. Por, sot gjërat janë ndryshe. “Mendoj se tani njerëzit janë më të hapur për të pasur një gjuhë autentike, qoftë nga Indonezia, Gjermania apo Spanja. Ishte koha e duhur për këtë”.

Përveç financimit të filmit Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit, Netflix ka bërë një punë shembullore për ta promovuar, saqë ishte e vështirë të futeshe në platformë pa u njohur për ekzistencën e tij. Pati më shumë nominime për BAFTA se çdo film tjetër këtë vit – 14 gjithsej – dhe shtatë prej tyre i shndërroi në fitore. Ky sukses, tha Peter Bradshaw në The Guardian, ishte “një nderim për fushatën e zgjuar të marketingut nga një shërbim i caktuar i transmetimit … që me këmbëngulje vazhdonte ta fuste produktin e vet prestigjioz para hundën të votuesve të BAFTA-s”.

Kushdo që u bind nga ajo fushatë marketingu, e gjeti veten duke e parë një kronikë të luftës me akte tronditëse në skëterrën më të rëndë, një film teknikisht mahnitës që ishte prekës gati në mënyrë të padurueshme, por edhe i frikshëm dhe madje i bukur me fotografinë dhe muzikën e vet. Panë diçka që ashiqare doli nga një sasi e madhe e punës rraskapitëse: ishte po aq rraskapitëse për t’u bërë sa edhe për t’u parë, thuhet në artikulli të CNN-it. Dhe, ata e panë një film, skenat e vdekjes, të shkatërrimit dhe mjerimit që bëjnë jehonë për raportimet nga pushtimi i Ukrainës. Me fjalë të tjera, e shikonin llojin e filmit që rregullisht fitonte si filmi më i mirë.

Ka qenë një kohë, në vitet 1990 dhe 2000, kur të gjithë e dinin se çfarë është një “film Oscar”. Mes kinemasë së pavarur dhe studiove të mëdha ishte një bollëk i realizimeve spektakolare të tragjedisë historike (Dances with Wolves, Titanic, Schindler’s List), ndonjëherë të ndërlidhura me çështjet bashkëkohore sociale (Crash) dhe nganjëherë të bazuara në roman (The English Patient). Ishte dëshmi se Hollivudi mund të bënte filma të pjekur dhe të rëndësishëm.

Por, Hollivudit nuk i pëlqen më të bëjë filma të tillë. Studiot kryesore sot preferojnë t’i shpenzojnë paratë për vazhdimet e superheronjve, që do të thotë se, në vitet e fundit, fusha më e mirë e filmave është lënë e hapur për një grup të kandidatëve të çuditshëm me prirje drejt kinemasë së pavarur: një dramë e ëmbël e komedisë familjare (Coda), një dokudramë gjysmë e improvizuar (Nomadland), një meditim poetik mbi racën dhe seksualitetin (Moonlight) etj. Shumica e të nominuarve për filmat më të mirë të këtij viti janë njësoj jo të zakonshëm. Në mënyrat e veta, The Banshees of Inisherin, Triangle of Sadness, Tár, Women Talking dhe Everything Everywhere All at Once janë që të gjithë shumë më të çuditshëm sesa ajo që mendohej si një film për Oscar. Asnjë prej tyre nuk e ka nxitjen kryesore për ta ndërtuar një konsensus të fortë prapa vetes. Dhe, pastaj është Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit: film i madh, serioz, i bazuar në një roman të çmuar dhe me vlera të produksionit që janë jashtëzakonisht të qarta për këdo që e lëshon filmin. Mund të jetë gjerman por, në shumë aspekte, është kandidati më i mirë për filmin më të mirë të grupit.

Gjithsesi, ndryshe është pikëpamja në Gjermani. Siç vuri në dukje Philip Oltermann në një artikull në The Guardian, kritikët e vendit e kanë heshtën filmin dhe tema kryesore e komenteve e neverisë së tyre është se Bergeri paraqet një rast të rëndë për “Oscar-Geilheit” ose të “epshit për Oscar”. Regjisori nuk e bëri asnjë përshtatje të pranueshme të romanit, argumenton Hubert Wetzel në Süddeutsche Zeitung. Në vend të kësaj, “148 minutave të kiçit të luftës të denjë për sukses komercial i jepet një titull që njihet në mbarë botën dhe që garanton prestigj dhe shitje të mira. Ndoshta edhe një Oscar”.

Është një shenjë se sa shpejt po ndryshon industria. Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit mund të shihet si konkurrent i pazakonshëm për filmin më të mirë, por po ashtu si konkurrent të denjë për filmin më të mirë për të mirën e këtij çmimi. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version