Sfida e boksit e vlefshme për titullin WBC Silver, mes Florian Markut dhe meksikanit Miguel Parra Ramirez, ka tërhequr vëmendjen e shumë tifozëve, që kishin mbushur shkallët dhe fushën e stadiumit kombëtar, ‘Air Albania’.
Mes tyre ndodheshin edhe yjet të skenës dhe ekranit, personalitete të politikës, ambasadorë, si dhe figura të sportit dhe jo vetëm – njofton A2 News.
Në tribuna ishin të pranishëm dy legjendat e futbollit shqiptar, Igli Tare dhe Lorik Cana.
Nuk munguan personazhe të politikës, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.
Prezentë për ta mbështetur Markun ishin edhe reperët, si Noizy e MC Kresha.
Po ashtu, aty ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pranë të cilit ishte ulur Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës.
Theksojmë që shqiptari i pamposhtur, Florian Marku, doli fitues përballë Miguel Parra Ramirez në ‘Air Albania Stadium’ për ta fituar titullin WBC Silver në kategorinë e mesme të lehtë.
U deshën 10 raunde që ‘The Albanian King’ të triumfonte me vendim unanim të gjyqtarëve (96-91, 96-91, 95-92).