Mikel Arteta është shprehur i frustruar me vendimin për anulimin e golit të Alexandre Lacazette në humbjen prej 1-0 nga Leicester City.
Trajneri i Arsenalit mendoi se skuadra e tij krijoi epërsi të hershme kur sulmuesi francez shënoi me kokë pas harkimit nga Dani Ceballos.
Mirëpo, goli u anulua pasi që Granit Xhaka ndodhej në pozitë jashtë loje. Edhe pse mesfushori shqiptar u shmang që të mos e prekte topin, u konsiderua se ai e ka bllokuar pamjen e portierit Kasper Schmeichel.
Vendimi për anulimin e golit nxiti reagimin e bankës së Arsenalit, ndërsa Arteta ishte i pakënaqur me gjyqtarin Craig Pawson dhe ekipin e VAR-it.
“Jam vërtet i zhgënjyer. E kishim në dorë në pjesën e parë dhe nuk e di si ndodhi anulimi i golit”.
“Të jem i drejtë, isha vërtet i kënaqur me pjesën e parë dhe mënyrën si bëmë presion dhe lojën agresive që treguam ndaj një skuadre që është e aftë për ta thyer atë presion dhe të krijojë kundërsulme”.
“Ishim në nivel të lojës, i kufizuam duke mos i lejuar të bënin asgjë. Shënuam një gol nga ndërprerja, nuk e di si u anulua ai gol”, ka thënë Arteta në konferencën për shtyp.
Inkuadrimi i Jamie Vardy për Leicesterin ndryshoi gjithçka, pasi sulmuesi anglez e shënoi golin e fitores dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja. /Telegrafi/