Telegrafi

Arsyetimi seksist i vendimit të Gjykatës së Gjilanit, kryeministri shprehet i tronditur nga gjuha e përdorur në aktgjykim

Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur i tronditur me rastin e arsyetimit të gjykatës së Gjilanit në lidhje më dhunimin e një 19 vjeçareje ditë më parë.

Ai ndër të tjerash tha që kjo është dëshmi e fortë që sistemit të drejtësisë në Kosovë i duhen reforma rrënjësore.

“Rasti i Gjilanit është një dëshmi më shumë se sa e thellë duhet të jetë reforma në sistemin tonë të drejtësisë. Gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë viktima të normave diskriminuese. Gjuha e një aktgjykimi të tillë e një vendimi është e papranueshme dhe jam i tronditur me atë gjuhë që është përdorur”, tha ai.

Lexo po ashtu Arsyetimi seksist i vendimit të Gjykatës së Gjilanit, çka thotë kryetari i trupit gjykues që e përpiloi aktgjykimin

Kurti po ashtu tha që nuk posedon informata konkrete lodhur me rastin, por sa kishte arritur te lexoj dhe të informohet gjuha e përdorur në këtë rast është e papranueshme.

“Duke mos ditur rastin konkretisht, jemi të njoftuar aq me sa mund të lexojmë, atë që kemi lexuar shohim që kemi një gjuhë që vjen nga një mendësi e papranueshme”, u shpreh Kurti./Telegrafi/