Këngëtarja e njohur shqiptare, Anjeza Shahini, e cila prej vitesh është e martuar jeton dhe në Mbretërinë e Bashkuar, së fundmi zgjoi shumë pluhur mediatik.
Një postim i bërë në rrjetet sociale ku tregonte se ajo tashmë ishte një artiste e përmbushur dhe nuk do të merrte pjesë në festivale, ka bërë që shumë nga fansat të mendojnë se ajo po e mendon tërheqjen komplete nga muzika.
Megjithatë, në një shpjegim të bërë më vonë, Shahini tregoi se do të vazhdojë të këndojë, por jo më nëpër festivale, pasi kjo periudhë për të ka mbaruar.
Tutje, Anjeza vazhdon të jetë një personazh mjaft aktiv dhe i ndjekur në rrjetet sociale, përmes së cilave ndan herë pas here me fansat imazhe të ndryshme nga jeta e saj e përditshme.
Në një fotografi të publikuar së fundmi në rrjetin social Instagram, këngëtarja është shfaqur mjaft elegante dhe me stil në një xhaketë ngjyrë kafe.
Në mbishkrimin e fotogrfisë, ajo shpjegon në dy gjuhë (shqip dhe anglisht), se pse ka tash e kaq vite që bartë të njëjtën xhaketë – gjë e cila mesa duket ka të bëjë me dëshirën për të mbrojtur natyrën, duke u bërë më efiçente dhe jo shpenzuese e panevojshme.
“Këtë xhaketë lëkure e ruaj dhe e vesh prej shumë vitesh. Ndoshta e shihni në shumë nga fotot e mia. Kështu bëj me disa nga veshjet e mia. E dua modën dhe kënaqem kur blej veshje të reja sigurisht, por dua dhe botën në të cilën jetojmë. Kështu që kur blej dicka të re, thjesht e mendoj dy herë. Vetëm kaq duhet për të bërë secili pjesën tonë, të shpëtojmë sadopak ambientin. Unë besoj në të qenurit modern dhe më I përgjegjshëm. Ah, sa për gotën plastike në dorë, është 100% e riciklueshme por prap nuk është ideale”, ka shkruar Anjeza Shahini.
Në një kohë, ku thirrja më e madh masive botërore po bëhet për ruajtjen e ambientit dhe rritjen e efiçencës, duket se këngëtarja e njohur shqiptare e ka gjetur më së miri vetën duke mbështetur po të njëjtën kauzë kolektive. /Telegrafi/