Mbrojtësi i Chelseat , Andreas Christensen, u tërhoq nga lista për humbjen e dhimbshme të së shtunës në finalen e Kupës FA kundër Liverpoolit, vetëm disa orë para fillimit.
Reprezentuesi danez – i cili do t’i bashkohet Barcelonës në fund të sezonit – nuk u lëndua, por i tha trajnerit Thomas Tuchel në mëngjesin e ndeshjes se nuk donte të konsiderohej për përballjen në Wembley sepse nuk ndihej gati për të luajtur.
Ka të ngjarë që Christensen do ta kishte nisur lojën përpara Trevoh Chalobah nëse ai do të ishte i disponueshëm për përzgjedhje dhe vendimi i tij për t’u tërhequr nga skuadra për t’u përballur me skuadrën e Jurgen Klopp ishte një goditje e madhe për planet e Chelseat.
Tërheqja dhe largimi i tij i papritur nga hoteli i ekipit të shtunën në mëngjes kuptohet se i ka lënë shokët e tij të skuadrës të hutuar dhe të shokuar.
Burime pranë Christensen kanë treguar se mbrojtësi nuk ndihej mirë në ditët para finales, diçka që ylli i Bluve ia tregoi trajnerit të tij përpara se të vendoste në mëngjesin e ndeshjes se nuk ishte fizikisht gati për të luajtur.
Christensen, i cili raportohet se fiton 80,000 euro në javë te Chelsea, luajti mbi 90 minutat në fitoren 3-0 të së mërkurës së kaluar ndaj Leeds.
Muajin e kaluar, Christensen u tërhoq nga formacioni fillestar në momentet që çuan në fitoren 1-0 ndaj West Ham, pasi kishte dhimbje barku përpara fillimit.
Në humbjen 4-2 ndaj Arsenalit, gjithashtu muajin e kaluar, qendërmbrojtësi kërkoi që të largohej nga fusha në pjesën e parë – Tuchel konfirmoi se Christensen e kishte bërë kërkesën pas ndeshjes.
Në mënyrë të ngjashme, ish-trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, tha për danezin në vitin 2019: “Ju e dini shumë mirë që Christensen në ditët e ndeshjeve gjithmonë ka dhimbje barku”.
“Nuk e di arsyen, por ai është gjithmonë shumë nervoz. Nuk di çfarë të them”.
Christensen ka rënë dakord për një marrëveshje pesëvjeçare për t’iu bashkuar Barcelonës me një transferim të lirë përpara sezonit të ardhshëm, pasi refuzoi përpjekjet e Chelseat për të rinegociuar një rinovim të kontratës. /Telegrafi/