Telegrafi

Arsovska në takim me kryetarët e komunave të Shkupit, ende bëhen analiza për problemin me kanalizimin atmosferik

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sot ka mbajtur takim koordinues me kryetarët e të gjitha komunave të Shkupit dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike të qytetit, për shkak të stuhisë së fortë që goditi dje Shkupin.

Në takim u diskutua për gjendjen aktuale në terren dhe u miratuan konkluzionet dhe qëndrimet e përbashkëta, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç thuhet në njoftimin e Bashkisë së Shkupit, aktivitetet e ndërmarra deri më tani për sanimin e situatës, përgatitjet për stuhi të mundshme, janë me koordinim të shtuar në mes të Bashkisë së Shkupit dhe komunave në drejtim të bashkimit të resurseve dhe ekipeve për ndërhyrje në vendet më të prekura dhe më kritike.

Në takim u diskutua edhe për problemin e përqindjes së ulët të mbulimit të Shkupit me kanalizim atmosferik, veçanërisht në rrugët komunale, dhe aktualisht po bëhen analiza për tejkalimin e këtij problemi të kahershëm.

“Të gjitha ekipet janë mobilizuar edhe sot në terren, po ndërhyhet në të gjitha lokacionet e prekura nga stuhia e fortë dhe po riparohen dëmet. Ekipet mbeten të gatshme, ndërsa prioritet në pastrim janë afrimet në vendet kritike të qytetit”, theksoi Arsovska.

Në takim, kryetarët bashkërisht kërkuan zgjidhje afatgjatë të problemit të shpeshtë të rënies së pemëve gjatë çdo stuhie të fortë në Shkup, e cila paraqet rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe pronave të tyre. Për zgjidhjen e këtij problemi të shpeshtë, u diskutua që të realizohet një aksion i madh i koordinuar në të gjitha komunat për prerjen e të gjithë pemëve të vjetra dhe të thata, sepse paraqesin rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe pronave të tyre./Telegrafi/