Raportohet se Arsenali e ka refuzuar transferimin e yllit të Ajaxit, Hakim Ziyech, për 33 milionë euro.
Lojtari 26-vjeçar kishte paraqitje fantastike në sezonin e kaluar me skuadrën holandeze, ndërsa shkuan deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Duke folur për një ueb-faqe të Arsenalit, ‘Arseblog’, David Ornstein, që është i afërt me Topçinjtë, ka thënë se ata e kanë refuzuar transferimin e marokenit.
“Arsenali e ka analizuar atë dhe nuk është një lojtar që u përshtatet planeve dhe strategjisë së tyre”, ka thënë ai.
“Mendoj se ai e mirëpriste një kalim te Arsenali, Ajaxi me shumë gjasë do ta shiste atë për 33 milionë euro, por ai nuk është në agjendën e klubit londinez”, ka shtuar më tej Ornstein.
Sipas Ornstein, mesfushori i Southamptonit, Mario Lemina dhe anësori i Barcelonës, Malcom, janë në radarin e skuadrës londineze, derisa janë shumë afër transferimit të William Salibas nga Saint-Etienne. /Telegrafi/