Telegrafi

Arsenali dhe Interi po diskutojnë shkëmbimin e mbrojtësve

Arsenal dhe Inter janë duke diskutuar një shkëmbim të bujshëm gjatë afatit kalimtar të janarit.

Lideri aktual i Ligës Premier synon afrimin e një mbrojtësi të djathtë pasi deri më tani këtë pozitë e ka mbuluar qendërmbrojtësi Ben White me trajnerin Mikel Arteta që nuk është i kënaqur me anësorët që ka në dispozicion.

Denzel Dumfries është dëshira kryesore e ‘Topçinjve’ për krahun e djathtë të mbrojtjes dhe Arsenal ka filluar kontaktet e para me Interin për afrimin e holandezit këmbëshpejtë.

Drejtuesit e gjigantit anglez kanë pasur kontaktet e para me homologët italianë dhe madje i kanë bërë atyre një propozim shkëmbimi.

Arsenal është gati ta dërgojë te Interi mbrojtësin japonez Takehiro Tomiyasu si dhe një pjesë të parave për Dumfries.

Neroazzurët janë duke e shqyrtuar këtë propozim të londinezëve pasi trajneri Simone Inzaghi e vlerëson japonezin i cili më parë ka luajtur në Serie A.

Ndërkohë dëshira e Dumfries është të luaj në elitën e futbollit anglez Ligën Premier dhe përveç Arsenalit ka edhe skuadra tjera që e duan atë.

Dy rivalët londinezë të Arsenalit, Chelsea dhe Tottenham Hotspur gjithashtu kanë shprehur dëshirë për transferimin e 26-vjeçarit.

Inter është gati ta shes yllin e tyre nëse vije ndonjë ofertë mbi 50 milionë euro. /Telegrafi/