Arsenali ka bërë hap fals në garën për top-katërshe duke pësuar humbje (3-1) si mysafir i Wolverhampton Wanderers.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 28-të të takimit me golin e Ruben Neves. Nuk zgjati shumë dhe u shënua goli i dytë i vendasve, realizues ishte Matt Doherty (37′).
Wolves nuk u ndalën me kaq. Në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+2), ata e realizuan edhe golin e tretë përmes Diogo Jota.
Me disavantazh prej tre golash, Topçinjtë shkuan në pushim, ndërsa në pjesën e dytë nuk arritën që t’i ndryshonin gjërat, ashtu që e humbën këtë ndeshje. Një gol nderi e shënoi Sokratis (80′).
Arsenali mbetet në vend të pestë në tabelë me një pikë më pak se Chelsea që tash mban vendin e katërt dhe është në pozitë më të mirë për Ligën e Kampionëve.
Wolverhampton Wanderers janë ngritur në pozitën e shtatë në tabelë, mirëpo mbesin larg zonës evropiane.
Në xhiron e ardhshme, Wolves luajnë si mysafirë të Watfordit, kurse Topçinjtë si mysafirë të Leicester Cityt. /Telegrafi/