Pesë vende të BE-së kanë arritur një marrëveshje në parim me Komisionin Evropian për të rifilluar tranzitin e grurit ukrainas pas disa ditësh negociatash.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia kishin futur kufizime në importet për shqetësimet se një tufë drithërash të lirë nga Ukraina, të destinuara për në vende të tjera, kishte përfunduar të bllokuar për shkak të pengesave, duke ulur çmimet për fermerët vendas.
Nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis shkroi në Twitter se ekzekutivi i BE-së kishte arritur “një marrëveshje në parim” me vendet “për të adresuar shqetësimet e fermerëve në vendet fqinje të BE-së dhe Ukrainës”.
Marrëveshja përfshin një tërheqje të masave të njëanshme, “masa të jashtëzakonshme mbrojtëse” për grurin, misrin dhe lulediellin dhe një paketë mbështetjeje prej 100 milionë euro për fermerët e prekur.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera për masat. /Telegrafi/