Site icon Telegrafi

Arrihet marrëveshja, zgjatet edhe për një ditë armëpushimi Izrael-Hamas

Një armëpushim i përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit është zgjatur për një ditë tjetër – të shtatë – thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit të enjten në mëngjes, disa minuta përpara se marrëveshja të skadonte.

Kjo është zgjatja e dytë e armëpushimit fillestar katër-ditor që filloi të premten, përcjell Telegrafi.

Armëpushimi ka rezultuar në kthimin e 70 izraelitëve sipas marrëveshjes.

Gjatë pauzës, tre shtetas izraelitë me shtetësi të dyfishtë dhe njëzet e katër shtetas të huaj janë liruar gjithashtu jashtë marrëveshjes.

Në këmbim, 210 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite, thanë zyrtarët.

Ndërkohë, Izraeli do të zgjasë armëpushimin për çdo ditë që Hamasi vazhdon të lirojë 10 pengje “të gjallë”, përsëriti të enjten një zyrtar i lartë izraelit.

Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha për CNN se qëndrimi i Izraelit për çdo zgjatje të pauzës humanitare në luftime është “kristal i qartë”.

“Çdo ditë, ne ramë dakord për një zgjatje për lirimin e 10 pengjeve, 10 pengjeve të gjallë”, theksoi Regev. “Nëse Hamasi vazhdon të lirojë pengje, 10 në ditë, ne do të zgjasim pauzën”.

Ndërsa kur u pyet nëse luftimet do të rifillonin brenda 24 orëve të ardhshme, Regev shtoi se, “nëse Hamasi nuk arrin të përmbushë kushtet e zgjatjes, që është të lirojë 10 izraelitë, atëherë sigurisht që luftimet mund të rifillojnë”.

Ka ende të paktën 140 pengje brenda Gazës, shtoi Regev. /Telegrafi/

Exit mobile version