Telegrafi

Arrihet marrëveshja mes Interit dhe Lazios, pritet vetëm zyrtarizimi i Correas

Joaquin Correa do të bashkohet me Interin pasi Nerazzurri thuhet se kanë arritur një marrëveshje totale me Lazion.

Gazetari i Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio raporton se dy klubet kanë shtrënguar duart për tarifën e transferimit të lojtarit.

Argjentinasi do të kalojë në Giuseppe Meazza në një marrëveshje huazimi fillestar me një detyrim blerje në verën e ardhshme.

Interi do të paguajë 30 milionë euro dhe ish-klubet e Correas, River Plate dhe Estudiantes, do të ndajnë 5 për qind të tarifës së tij të transferimit.

Sipas të njëjtit raport, Correa do të mbërrijë në Milano sot (e mërkurë), me Interin që aktualisht po organizon ekzaminimet e tij mjekësore në qytet.

Kalimi i Correas në Inter do të thotë që Andrea Belotti nuk do të bashkohet me Nerazzurrët nga Torino.

Correa, 27 vjeç, iu bashkua Lazios nga Sevilla në një marrëveshje prej 15 milionë euro në vitin 2018,teksa shënoi 30 gola në 117 paraqitje me klubin, të gjitha nën urdhrat e Simone Inzaghit, me të cilin do të ribashkohet te Interi.

Sulmuesi argjentinas fitoi një Kupë Italie dhe një Superkupë të Italisë ndërsa ishte në Romë te Lazio. /Telegrafi/