Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Aleksander Vlajiq, është arrestuar sot në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh.
Sipas burimeve të RTV Dukagjinit nga organet e sigurisë, deri te arrestimi i Vlajiqit ka ardhur pas informacioneve të cilat i ka siguruar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ky mekanizëm i sigurisë,ka bërë që më pas, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ky i dyshuar për spiunazhe te arrestohet.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot në mbrëmje, në rajonin e Mitrovicës ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale spiunazh.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, thuhet se “pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person”.