Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten se ka vënë nën sekuestro sipërfaqe që në total shkojnë 390 mijë metra katrorë në zonën Pulaj-Plazhë, të Velipojës.
Hetimet kanë zbuluar se i përkasin Pëllumb Gjokës, sipërmarrësit të arrestuar në muajin korrik, gjatë një operacioni në të cilin u arrestuan funksionarë të drejtësisë, policisë si dhe emra të njohur të botës së krimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë bëhet fjalë për tre sipërfaqe të ndara të llojit pyll, nga të cilat dy ishin rregjistruar në emër të shoqërive të ndryshme tregtare dhe një tjetër në emër të një personi privat, por që nga hetimet “ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga shtetasi Pëllumb Gjoka, në bashkëpunim me persona të tjerë”.
Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste.
I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk rezulton të ketë nisur ende.
Gjoka u arrestua falë informacioneve që Prokuroria e Posaçme mori nga agjenci europiane të cilat kanë mundur të deshifrojnë komunikmet përmes telefonave të koduar të përdorur kryesisht nga personazhe të botës së krimit, mes të cilëve dhe emra jo të pakët shqiptarësh.
Grupi i personave të kapur në korrik dyshohet për një numër të madh veprash penale, që nga “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, apo dhe “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./VOA