Një polic në Washington është arrestuar për shkak të akuzave se u ka siguruar material mbështetës ISIS-it, bën të ditur sot Washington Post.
Polici, detyra e të cilit ishte siguria e kalimeve transite, kontrollin e udhëtarëve dhe veturave në metronë e Washingtonit, Nilolas Jang, është arrestuar sot në stacionin policor.
Në aktakuzë thuhet se Jang, u ka blerë pjesëtarëve të ISIS-it kartela për telefona mobil me anë të së cilës t’u lehtësohet komunikimi.
Kjo është zbuluar pasi që një kartelë ia ka dhuruar edhe një agjenti të FBI-së që ka qenë në detyrë sekrete.
Jang është nën vëzhgim të FBI-së që nga viti 2010. Ai më herët dy herë ka udhëtuar për në Libi ku sipas të dhënave është shoqëruar me kryengritësit që kanë tentuar ta rrëzojnë nga pushteti Muamer El Gadafin.
Arrestimi dhe akuza kundër Jang është rasti i parë ku një polic amerikan akuzohet për bashkëpunim me ISIS-in.