Telegrafi

Arrestohet personi i dyshuar për disa grabitje të armatosura në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një person si i dyshuar për disa grabitje të armatosura në lagjet Lakrishte dhe Emshir të Prishtinës.

Sipas Policisë është arrestuar L. S, 30 vjeç, dhe se pjesë e operacionit, ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar, i cili është realizuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Policia aty ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, 14 fishekë si dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si prova për rastet.

Ndaj të dyshuarit, me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, përderisa po vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka intensifikuar ndërmarrjen e masave policore, operative e hetimore për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale si dhe goditjen e individëve dhe grupeve kriminale.

Fokus të veçantë ka marrë organizimi i punës policore për zbardhjen e veprave kriminale të grabitjes, identifikimi si dhe arrestimi i të dyshuarve të implikuar në veprat e tilla./Telegrafi/