Telegrafi

Arrestohet një zyrtar policor në Pejë – dyshohet për shantazh, kanosje dhe ngacmim

Foto: Ilustrim

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor ( të stacionit policor në Pejë) me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “shantazh”, “kanosje” dhe “ngacmim”.

Informacionet e para lidhur me këtë rast nga IPK-ja janë pranuar përmes një ankese të adresuar te Inspektorati Policor rreth një javë më herët.

Në njoftim thuhet se “bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë sekuestrimin e përkohshëm të një telefoni mobil në cilësi të provës materiale si dhe intervistimin e të dyshuarit”.

“Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprat penale: shantazh, kanosje dhe ngacmim”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. /Telegrafi/