Telegrafi

Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se më datë 15.10.2018, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë.

“Rasti ka ndodhur me datën 08.10.2018 në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë, në një barnatore, me ç’ rast janë vjedhur një sasi e konsiderueshme e barnave.

Hetuesit policor pas ndërmarrjes së veprimeve të duhura hetimore kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin si dhe kanë ngritur dyshimin e arsyeshëm se, i njëjti ka shfrytëzuar veturën e marrë në shfrytëzim nga një kompani për dhënien me qira të veturave ( RentCar) dhe të njëjtën dyshohet ta ketë përdorur në rastin e sipër cekur me targa veture të cilat më herët kanë qenë të raportuara si të vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë që policia ka vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore e operative, ka lokalizuar veturën Golf –V-, ngjyrë hiri, dhe të njëjtën e ka sekuestruar për ta ndihmuar ndriçimin e plotë të rastit..

Të dyshuarit E. E, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, prokurori i shtetit i ka shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë, për tu proceduar më tej në faza të tjera të procesit hetimor. /Telegrafi/