Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një të dyshuar në Pejë, pasi i njëjti ka mashtruar me bileta udhëtimi duke përfituar mbi 10 mijë euro.
Sipas njoftimit, më datë 12 shtator 2022 rreth orës 21:40, një person kishte raportuar në Stacionin Policor në Pejë se me datën 31. 08. 2022 kishte paguar dy bileta udhëtimi në vlerë prej 1 mijë e 38 euro në një agjenci turistike në Pejë.
Viktima kur kishte shkuar në Aeroportin e Prishtinës, kishte kuptuar se udhëtimi nuk mund të realizohej, pasi që nuk i ishte bërë rezervimi nga agjencia ku kishte bërë pagesën e biletave të udhëtimit.
“Policia e Stacionit Policor në Pejë, ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin. Me urdhër Prokurorit të shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin për media.
“Më datë 14. 09. 2022 në Stacionin Policor Pejë, kanë raportuar edhe shtatë (7) viktima tjera të cilat kishin rezervuar bileta udhëtimi për pushime jashtë vendit në shumë prej nëntëmijë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë (9836) euro”.
Në agjenci viktimat kishin paguar për bileta udhëtimi shumën prej 10 mijë e 874 euro.
“Rasti është në proces nga njësiti i hetimeve Stacioni Policor Pejë”. /Telegrafi/