Site icon Telegrafi

Arrestohet një i dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe bartje të aksioneve disa milionëshe te një person tjetër

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘‘falsifikim i dokumenteve”.

Në njoftim thuhet se “hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), nga një ankues, më 01.08.2023, kanë pranuar informatën se persona të dyshuar përmes dokumenteve të falsifikuara të paraqitura në Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij, i kanë bartur pronësinë dhe aksionet e kompanisë te një person tjetër”.

“Vlera e aksioneve, apo kapitali i kësaj kompanie sipas ankuesit është disa miliona euro”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

“Policia në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr veprime hetimore, janë siguruar prova dhe dëshmi të dokumenteve të falsifikuara siç janë: një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontrate për falje të aksioneve, me të cilat është bërë edhe ndryshimi i pronësisë dhe aksionarit të këtij biznesi”.

Sipas Policisë, lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari M.A., (viti i lindjes 1965, mashkull kosovar) në prezencë të avokatit mbrojtës.

Pas përfundimit dhe sigurimit të provave dhe dëshmive është iniciuar rasti ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe  me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version