Telegrafi

Arrestohet në person në Ferizaj, në gjendje të dehur sulmoi fizikisht dy mjekë

Foto: Ilustrim

Policia ka arrestuar një person, pasi i njëjti në gjendje të dehur, ka sulmuar sot fizikisht dy mjekë kujdestarë në emergjencën primare të Ferizajt.

Në njoftimin e stacionit policor në Ferizaj thuhet se, sot rreth orës 01:00 të mëngjesit ka pranuar një informacion se në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj është një rast i sulmit ndaj dy mjekëve kujdestarë në Emergjencën Primare.

“Në lidhje me këtë policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin e dyshuar me inicialet H.H (M/K) i moshës 34 vjeçar,  i cili ishte në gjendje të dehur me 1.13 promila, i testuar me alkool test”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Telegrafi.

Më tej në njoftim thuhet se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e  policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. /Telegrafi/