Policia e Shqipërisë ka arrestuar një kosovar i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, në pikën kufitare në Morinë.
48 vjeçari nga Istogu ishte spallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grabitje me dhunë” dhe “Kanosje”.
Sipas njoftimit thuhet se i njëjti do të ekstradohet drejt Gjermanisë.
Njoftimi i plotë:
Vihet në pranga një shtetas, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grabitje me dhunë” dhe “Kanosje”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: A.D., 48 vjeç, banues në Istog, Kosovë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Wiesbaden Gjermani, për veprat penale “Grabitje me dhunë” dhe “Kanosja”.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957. /Telegrafi/