Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se duke ushtruar profesionin e ‘mjekut popullor’ ka përvetësuar më shumë se gjashtë mijë euro nga një femër.
Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se i dyshuari M.Z. (1962) është paraqitur si mjek që shëronte sëmundje të ndryshme (shërim shpirtëror, rregullim të problemeve familjare etj).
Policia njofton se i dyshuari, pas një kohe, duke shfrytëzuar të dhënat e mësuara nga ankuesja femër gjatë ‘’seancave për shërim”, i mbështetur edhe nga bashkëshortja e tij, kishte filluar ta shantazhojë dhe ta kërcënojë ankuesen se do t’ia shkatërronte familjen nëse nuk i sjell një shumë prej tridhjetë mijë (30,000) euro.
“Policia ka kërkuar nga gjykata leje për kontroll, të cilën e ka siguruar dhe e njëjta është realizuar sot, më 16.07.2019, ku është kontrolluar lokali ku ka ushtruar ‘profesionin’ dhe shtëpia e të dyshuarit në Malishevë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore. Po ashtu policia ka siguruar të dhëna se i dyshuari ka zhvilluar edhe aktivitet të veterinarisë”, njofton policia, përcjell Telegrafi.
Me aktvendim të prokurorit të rastit i dyshuari është ndaluar për 48 orë në mbajtje.
Policia, referuar të gjeturave gjatë realizimit të urdhër-kontrollit, beson se viktima të mashtrimit mund të jenë edhe një numër i konsiderueshëm i qytetareve, andaj apelon tek qytetarët që të kenë kujdes ndaj këtyre formave të mashtrimeve dhe po ashtu nëse ka viktima të tjera të kësaj natyre të lajmërojnë policinë./Telegrafi/