20 vjeçari me inicialet M.M, sot është arrestuar nga Policia e Kosovës, për të cilin Gjykata Themelore në Podujevë kishte nxjerrë urdhëresë për kapjen e tij, pasi që i njëjti ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për veprën penale vjedhje e rëndë.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, policia ndërmori sot një aksion në fshatin Peran të komunës të Podujevës në të cilin arriti të arrestoj personin e kërkuar.
“Policia e rajonit të Prishtinës po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale. Në kontekstin e kësaj në një operacion të befasishëm që policia ndërmori sot në fshatin Peran të komunës së Podujevës, arriti të arrestoj personin e kërkuar M. M, mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin Gjykata Themelore në Podujevë kishte nxjerrë urdhëresë për kapjen e tij, pasi që i njëjti ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për veprën penale vjedhje e rëndë”, tha Borovci.
Siç tha ai, 20 vjeçari pas arrestimit nga ana e policisë është dërguar në vuajtje të dënimit.
Ndërkaq, nga data 01 janari 2021 e deri më sot, në kuadër të realizimit të urdhëresave, urdhër arresteve si dhe letër rreshtimeve, policia e rajoni të Prishtinës ka kryer 223 arrestime të personave të shpallur në kërkim dhe të dënuar nga Gjykata si autor të veprave të ndryshme penale. /Telegrafi/