Site icon Telegrafi

Arrestohet edhe një zyrtar policor lidhur me keqtrajtimin e 18 vjeçarit

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë).

Sipas një njoftimi për media, arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së. Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (vide-incizim)  në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Pamje se si u keqtrajtua 18 vjeçari nga zyrtari policor Haris Kelmendi

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim, ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, ditë më parë është raportuar se pjesëtari i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, Haris Kelmendi, i cili është arrestuar të enjten në mbrëmje për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, pasi përmes video incizimit shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga ky polic, e cila ngjarje ka ndodhur në vitin 2018. /Telegrafi/

Exit mobile version