Telegrafi

Arrestohet i dyshuari që po kontrabandonte kafshë nga Maqedonia në Kosovë

Një person është arrestuar këtë të premte nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Lindje, pasi dyshohet për kontrabandim me kafshë.

Policia njofton se i dyshuari me inicialet XH.C është zënë në flagrancë duke kontrabanduar tri gjedhe – dy lopë dhe një viç.

“Me datë 27.01.2023 rreth orës 14:00 Policia e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve për parandalim dhe luftim të dukurive të kundërligjshme dhe kontrabandës në pika kufitare, ka bërë intensifikimin e aktiviteteve taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat nga DRPK-Lindje i dyshuari mashkull kosovar me iniciale Xh.C, është zënë në flagrancë duke bërë kontrabandim të tre gjedhëve (dy lopë dhe një viç)”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, policia bën të ditur se gjedhët dyshohet se janë futur përmes rrugëve ilegale malore nga territori Maqedonisë së Veriut në territorin e Kosovës dhe ishin pa matrikula e dokumentacion përkatës.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtim të mëtutjeshëm sipas procedurave, me ç’rast janë njoftuar inspektorët e AUV-it si dhe prokurori kompetent me udhëzim të së cilit personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa kafshët e konfiskuara i dorëzohen Doganës së Kosovës”. /Telegrafi/