Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar personi i cili dyshohet se më datë 27.10.2018 në ora 03:00 në një pompë derivatesh në fshatin Kramovik të komunës së Rahovecit kryer grabitjen nën kërcënimin me armë.
Në njoftimin për media thuhet se sektori rajonal për hetime nga drejtoria rajonale e policisë në Gjakovë ka punuar intensivisht në zbulimin dhe arrestimin e të dyshuarve dhe sot me datë 07.11.2018 ka kryer një bastisje në fshatin Kralan të Gjakovës me ç’ rast ka arritur të arrestoj personin e dyshuar: A.A, i lindur me 09.02.1996.
Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe lokaleve tjera përcjellëse janë gjetur dhe konfiskuar: Sasi e narkotikëve e dyshuar si marihuan 486 gramë; sasi e narkotikëve 10 gram e dyshuar si kokainë; një peshore e cila shërben për matjen e substancës se dyshuar; një pushkë automatike AK-47 me tre fishekë; një pistoletë e kalibrit 6.35 mm, me katër fishekë; një pushkë gjuetie; një pushkë ajrore-rekreative; një jelek taktik i forcave speciale Swat; dy këllëfë për mbajtjen e armëve; dy palë dorëza; mjete të mprehta (thika dhe një boks hekuri), bateri dore dhe një palë dylbi.
Në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit po vazhdojnë hetimet, ndërsa personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit policor. /Telegrafi/