Site icon Telegrafi

Arrestohet i dyshuari i dytë në rastin “Vrasje e mbetur në tentativë” në Ferizaj

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin e dytë në rastin e vrasjes së mbetur në tentativë në Ferizaj, në prill të këtij viti.

Më 26.04.2024 rreth orës 23:30 policia e stacionit në Ferizaj kishte pranuar një informatë se në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj kishte të shtëna me armë zjarri dhe dyshohej për persona të plagosur.

Patrullat e policisë menjëherë kishin dalë në vendngjarje dhe kanë mësuar se dy persona ishin plagosur nga një person tjetër, të cilët për ndihmë mjekësore ishin dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj,  e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë transportuar në QKUK-Prishtinë.

Hetuesit dhe krimteknikët rajonal nën autorizim të prokurorit të shtetit pasi kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet në kërkim të personave të dyshuar.

Lexo po ashtu Plagosen dy persona në Ferizaj

Pas një pune intensive hetimore kanë arritur që më 28.04.2024 të arrestojnë të dyshuarin kryesor A.D (M/K) i moshës 31 vjeçar, i cili pasi është intervistuar nga hetuesi rajonal, me vendim të prokurorit ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa në kërkim policor ishin edhe persona tjerë.

Ndërkaq, më 16.05.2024 rreth orës 20:40 hetuesit rajonal kanë arrestuar edhe të dyshuarin e dytë të kësaj ngjarje SH.K (M/K) i moshës 28 vjeçar, i cili në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit rajonal.

Me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa hetuesit rajonal kanë zgjeruar hetimin për kapjen edhe të personave tjerë, si të dyshuar të mundshëm për rastin e datës 26.04.2024. /Telegrafi/

Exit mobile version