Babai i nxënës nga rajoni rus Tula që vizatoi një pikturë që ishte kundër luftës dhe tërhoqi shumë vëmendjen e autoriteteve, është arrestuar për “diskreditimin e ushtrisë ruse”, kurse vajzën punonjësit e entit social e kanë dërguar në jetimore.
Në prill të vitit të kaluar, nxënësja e klasës së gjashtë Masha nga qyteti Yelets, vizatoi një pikturë kundër luftës në klasën e saj të artit, transmeton Telegrafi.
Kur pa vizatimin, mësuesja e saj shkoi te drejtori i shkollës, i cili më pas njoftoi policinë. Më vonë, babai i Mashës, Alexei, u akuzua për “diskreditim të ushtrisë” për komentin e tij në rrjetet sociale dhe u gjobit nga gjykata.
Të nesërmen, agjentët e FSB-së erdhën në shkollën e Mashës dhe folën me Alexei, duke e kërcënuar se do ta arrestonin dhe do ta merrnin fëmijën nëse nuk e rishikonte qasjen e tij ndaj të qenurit prind. Pas kësaj, vajza pushoi së shkuari në klasë nga frika se mos shfaqej sërish policia.
Në dhjetor, Alexei u akuzua përsëri për “diskreditim të ushtrisë” dhe u mor në pyetje edhe një herë.
Sipas burrit, gjatë marrjes në pyetje agjentët e FSB-së e rrahën dhe e mbyllën në një dhomë, ku u detyrua të dëgjonte himnin kombëtar rus në një vëllim shurdhues për dy orë.
Pas këtij incidenti, babai e mori Mashën dhe iku në qytetin e Uzlovaya.
Alexei u arrestua përsëri rrugës për në punë dhe u soll në shtëpi, ku ishte vajza e tij. Ajo u informua se babai i saj ishte dërguar në komisariat, dhe se shërbimet sociale do të vinin për ta marrë.
Në fund, Alexei u dërgua në Komitetin Hetimor dhe Masha u dërgua në një jetimore. Alexei e ka rritur vetëm vajzën e tij që kur ishte tre vjeçe. Nëse shkon në burg, mund të humbasë kujdestarinë e fëmijës. /Telegrafi/