Site icon Telegrafi

Arrestohet avokati, dyshohet se i mori një femre 10 mijë euro për ta mbrojtur nga veprat penale

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas raportimit të një rasti në Polici me datë 28.01.2019 dhe marrjes së informacioneve relevante ku dyshohej për kryerje të disa veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim”, “Keqpërdorim i besimit” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” nga një person i dyshuar, ka ndërmarr disa veprime të nevojshme hetimore dhe operacionale për trajtimin e këtij rasti.

“Pas zhvillimit intensiv të hetimeve policore përmes metodave më të avancuara dhe bastisjes në zyrën e të dyshuarit, Policia e Kosovës ka mbledhur informacione dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin dhe me datë 04.02.2019, me autorizim të prokurorit kompetent ka ftuar personin (I.R.) për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Personi i dyshuar mashkull/shqiptar/kosovar i lartpërmendur me iniciale (I.R.), në cilësinë e Avokatit mbrojtës, dyshohet se i ka marrë viktimës femër/shqiptare/kosovare para në vlerë rreth 10,000.00€ (dhjetëmijë euro), kinse për ta mbrojtur për disa vepra penale për të cilat paraprakisht viktima e këtij rasti ka qenë e dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas realizimit të proceduarve të intervistimit nga Policia, të dyshuarit të lartpërmendur me vendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.

 

Policia e Kosovës, është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe inkurajon të gjithë qytetarët pa dallim, që rastet që ndërlidhen me krimin dhe korrupsionin të raportohen menjëherë tek organet kompetente. Përderisa, rikonfirmojmë që pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë individët e përfshirë në raste të tilla, masa rigoroze do të aplikohen në vazhdimësi dhe do të ketë zero tolerancë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version