Policia e Kosovës ende pa u bërë 24 orë, ka arritur të arrestojë Agron Gashin të dyshuarin kryesor për plagosjen e trefishtë që ndodhi të mërkurën në Pejë.
Arrestimin e tij e kanë konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj dhe prokurori Ersan Qavolli.
Qavolli bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar pak minuta më parë në qytetin e Pejës.
Edhe policia e Pejës përmes një njoftimi bëri të ditur se pas njё pune intensive operativo-hetimore tё hetueseve tё Sektorit Rajonal pёr Hetime tё mbёshtetur edhe nga njёsitet tjera tё DRP Pejё, sot me datё 23.05.2024, ёshtё arritur tё lokalizohet dhe arrestohet i dyshuari Agron Gashi i lindur me 19.11.2002.
“Personi i dyshuar pas intervistimit nga Hetuesit e Sektorit Rajonal, me urdhër tё Prokurorit tё shtetit ndalohet pёr 48- orё pёr veprën penale “Vrasje e rënd nё tentativё””, ka njoftuar policia.
Në ndërkohë, njëri prej të plagosurve në Pejë është në gjendje të rëndë, përderisa dy të tjerët janë në gjendje stabile.
I plagosuri në gjendje kritike është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndryshe Policia e Kosovës kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Agron Mentor Gashit, i cili dyshohet për “vrasje të rëndë në tentativë”, që ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Pejë.
Në njoftimin për media thuhej se i dyshuari është recidivist i veprave penale./Telegrafi/