Policia e Kosovës ka arrestuar një 31-vjeçar me inicialet G.O, i cili dyshohet për vjedhje të rënda.
Përmes një njoftimi, është bërë e ditur se i dyshuari është arrestuar nga njësitet policore të stacionit të Podujevës, të mbështetur edhe nga njësite të stacionit policor në Vushtrri
“sot njësitet policore të stacionit të Podujevës, të mbështetur edhe nga njësite të stacionit policor në Vushtrri, kanë arrestuar një person të dyshuar. Personi i dyshuar G. O, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka qenë në kërkim me urdhëresa të gjykatës për vepra penale kundër pasurisë (vjedhje të rënda)”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.
“Hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse, po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale, ndërkohë që personi i arrestuar është dërguar në vuajtje të dënimit. Nga Drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë, gjatë vitit 2021, janë realizuar 9626 urdhëresa”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/