Telegrafi

Arrestohet 25-vjeçari i shpallur në kërkim, transportonte emigrantë të paligjshëm

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 69”, pasi transportonte me automjet tetë emigrantë, kundrejt një pagese prej 500 eurove për person.

Ditën e djeshme, Policia e Gjirokastrës vuri në pranga dy bashkëpunëtorët e 25-vjeçarit, të cilët monitoronin rrugën ku kalonte automjeti me emigrantët, për të shmangur patrullat e Policisë.

Në pranga u vu shtetasi G. M., 25 vjeç, banues në Krujë. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 23.07.2023, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës 500 euro/person, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu, për këtë rast, dje, Policia e Gjirokastrës vuri në pranga shtetasit A. B. dhe A. K. që monitoronin duke lëvizur me automjet, aksin rrugor “Ura e Dragotit – Ura e Leklit”, përmes të cilit shtetasi G. M. transportonte emigrantët. /Telegrafi/