Në një operacion të zhvilluar në tri qytete të ndryshme të Kosovës, Policia e Kosovës bën të ditur se Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, e mbështetur edhe nga njësitë tjera të specializuara të Policisë së Kosovës, ka arrestuar shtatë persona të përfshirë në vepra terroriste.
“Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, e mbështetur edhe nga njësitë tjera të specializuara të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë një operacion në rajone të ndryshme të Kosovës (Mitrovicë, Ferizaj, Prishtinë) për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më tej në njoftim thuhet se “Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në Stacionin e Policisë shtatë (7) persona (V.I, L.M, B.B, B.I, K.P, L.V dhe L.M), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në vepra penale nga Kapitulli XIV i Kodit Penal, përkatësisht Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar pajisje dhe gjësende tjera relevante me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë edhe me institucionet tjera relevante brenda dhe jashtë Kosovës, në vazhdimësi do të ndërmarrë veprimet e saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Radio Evropa e Lirë se në bazë të vlerësimeve nga Policia e Kosovës, situata e sigurisë konsiderohet e qetë dhe stabile.
“Personat e arrestuar tani janë në organet e drejtësisë. Kosova konsiderohet se është një vend stabil, i qetë, por kuptohet nganjëherë me disa incidente që ndodhin, mirëpo mund të themi se nuk ka asnjë indikacion për shqetësim apo për ndonjë rrezik potencial të mundshëm”, tha Kelani. /Telegrafi/