Telegrafi

Arrestohen shtatë të dyshuar, konfiskohen dokumente të dyshimta dhe hiqen flamujt në komunat ilegale – Prokuroria e Pejës jep detaje

Shtatë persona janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë në rajonin e Pejës për veprimtari në strukturat paralele-ilegale.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Ai tha se me autorizimin e Prokurorit të Shtetit janë hapur raste penale ndaj të arrestuarve.

“Shtatë persona janë shoqëruar në stacionet policore. Të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me autorizimin e Prokurorit të Shtetit janë hapur raste penale ndaj tyre”, ka thënë Nikçi.

Lexo po ashtu Aksioni kundër strukturave paralele, Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog

Ai po ashtu tregoi se janë sekuestruar dokumente të dyshimta si dhe janë hequr flamujt, të cilat kanë qenë në objektet ilegale.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka thënë në këtë aksion janë mbyllur tri komuna ilegale paralele.

“Në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës”, tha Sveçla. /Telegrafi/