Telegrafi

Arrestohen shtatë persona, gjashtë nga ta të dyshuar për grabitje të armatosura

Policia e Kosovës njoftoi të shtunën Njësiti i hetimeve të Përgjithshme-Prishtinë, kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për së paku pesë raste të grabitjeve të armatosura, si dhe një tjetër për armëmbajtje pa leje.

Operacionet janë realizuar në tri lokacione të ndryshme, në zonën e Lipjanit dhe Drenasit, ku janë arrestuar personat, të cilët dyshohet se janë përfshirë në së paku pesë raste të grabitjeve, të cilat kanë ndodhur në periudhën korrik-shtator 2022, kryesisht në pompa derivatesh.

“Pjesë e operacionit ka qenë edhe kontrolli i vendbanimeve të tyre, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar: armë zjarri AK 47, pistoletë TT, tre karikatorë, 48 fishekë dhe 30 paketime te vogla substancë e dyshuar narkotike (dyshohet marihuanë) etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për armëmbajtje pa leje policia ka arrestuar një person me inicialet M.D mashkull, 58 vjeç, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, personat: V. Sh, mashkull, 21 vjeç, E. Sh, mashkull, 19 vjeç, B. M, mashkull, 19 vjeç, F. Sh, mashkull, 18 vjeç, Z. A, mashkull, 18 vjeç dhe L. D, mashkull, 18 vjeç, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në veprat, grabitje e armatosur, grabitje në tentativë, mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armës, përdorimi i armës si dhe posedim ilegal i substancave narkotike.

Me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/