Telegrafi

Arrestohen pesë turistë me kombësi të ndryshme në Dhërmi, shpërndanin droga të forta

Policia ka njoftuar sot arrestimin e pesë shtetasve të huaj, turistë në Dhërmi, pasi merreshin me shpërndarjen e drogave të forta.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit T. G., 28 vjeçe, shtetase spanjolle; C. M., 28 vjeç, shtetas brazilian; Y. I., 32 vjeçe, shtetase argjentinase; R. D., 40 vjeç, shtetas argjentinas; dhe N. M., 27 vjeç, shtetas italian.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ambienteve ku këta shtetas ishin akomoduar, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të llojit GHB (Gamma-hydroxybutyrate), të ndarë në 160 doza, 30 doza Poppers, 49 doza ekstazi, 2 doza MDMA, 18 doza kokainë dhe 3 doza kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 5 aparate celulare.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2,610 pesos (monedha argjentinase), 340 euro dhe 400 dollarë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 5 shtetas kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik”, njofton policia. /Telegrafi/