Site icon Telegrafi

Arrestohen pesë të dyshuar në Prizren për përfshirje në veprimtari penale

Patrullat policore nga Njësia e Reagimit të Shpejtë Prizren dhe hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik Prizren, pas mesnate kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa vendore, ndërsa kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale.

Në njoftim thuhet se në veturë ishin tre persona: E.T., (viti i lindjes 1997, mashkull kosovar), T.L., (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar) dhe V.S., (viti i lindjes 199, mashkull kosovar).

Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dy armë dhe një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe është kërkuar leje nga gjyqtari i procedurës paraprake për kontroll të objekteve.

Pas marrjes së urdhrit policia ka kontrolluar një lokal dhe një banesë në Prizren. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë tjetër zjarri dhe disa qese me substanca që dyshohet të jetë narkotike.

Në ndërkohë janë ndaluar edhe dy të dyshuar tjerë (tek lokali dhe në banesë): L.H., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar) dhe D.M., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar).

Policia si dëshmi tek vetura, lokali dhe në banesë ka gjetur dhe sekuestruar gjithsej: tri armë zjarri (pistoleta) me 13 fishekë, tetë qese të vogla me substancë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë me peshë 8.87 gram, një qese që dyshohet të jetë substancës narkotike –kokainë, një peshore elektrike, një foli alumini për mbështjellje të narkotikëve, një pako letra “rizlla”.

Ndaj të dyshuarve iniciohen rastet penale: ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, pesë të dyshuarit me aktvendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version