Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Nga ky operacion dy persona janë shoqëruar në polici për intervistim.
Një aksion policor në komunën e Graçanicës ka rezultuar me arrestimin e dy zyrtarëve të Departamentit të Kadastrës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit, kanë kryer një aksion policor në komunën e Graçanicës. Ky aksion deri më tani ka rezultuar me arrestimin. të dy të dyshuarve për intervistim dhe procedurë të mëtutjeshme policore. Pas përfundimit të aksionit do të njoftohen informata shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
“Është punë e vetëinicuar e zyrtarëve individualë”, tha për media para ndërtesës së komunës kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke komentuar aksionin e Policisë së Kosovës në Komunën e Graçanicës, më saktësisht në Departamentin e Kadastrit, ka deklaruar se deri më tani ka pasur shumë polemika në punën e këtij departamenti .
“Kam pasur rezerva për mënyrën e funksionimit të tyre, sepse më duket se qytetarët nuk janë asnjëherë prioriteti i tyre i parë. Ne vetë, disa herë kemi pasur disa sfida në komunikimin me ta, por në fund e kemi zbutur sepse kemi pasur disa mekanizma ligjorë që mund t’i përdorim për t’i detyruar ata të bëjnë punën e tyre siç duhet. Ajo që kam parë, nëse është e vërtetë, nuk do të doja që disa zyrtarë të thjeshtë, punëtorë, ndoshta për shkak të vendimeve të mundshme politike, të zbulonin se janë kryer disa akte, se fajtorët e vërtetë, pra drejtorët janë të mbrojtur. apo jo i sanksionuar. Është shumë herët për të pretenduar diçka, do të flas me disa nga kolegët e mi gjatë ditës për të dëgjuar se cilat janë arsyet e vërteta, çfarë mund të pritet si një përmbledhje e asaj që po ndodh tani”, tha ai, transmeton RTK.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka sekuestruar 25 mijë euro që të dyshuarit kanë marrë duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë kërkuar ryshfet për të nxjerr një vendim në Komunën e Graçanicës.
“Gjatë këtij operacioni, në zbatimin të urdhëresave të tilla, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arritur që të shoqërojë në Polici disa persona dhe të sekuestrojë shumën prej 25,000 eurosh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ky aksion është udhëhequr nga prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për zbatimin e masave të veçanta hetimore ndaj të pandehurve të lartcekur dhe po të njëjtën datë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime taktike operacionale, duke zbatuar këto masa. Gjatë zbatimit të masave të tilla, përfshihet në veprën penale dhe i pandehuri i tretë me inicialet V.S, për çka, Prokurori i Shtetit, më 26 dhjetor 2024, ka zgjeruar hetimet në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 31 të KPRK-së dhe menjëherë është kërkuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake lëshimi i urdhrit për masën e veçantë hetimore dhe urdhrit për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të provave dhe pasurisë së specifikuar për të tre të pandehurit”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/