Telegrafi

Arrestohen dy vëllezër kosovarë në Shqipëri, shitën BMW X6 dhe e lajmëruan të vjedhur

Policia e Shqipërisë njoftoi të shtunën se ka arrestuar dy vëllezër kosovarë me banim në Finlandë, pasi kanë shitur automjetin e tyre në Kamzë dhe kishin raportuar rrejshëm për vjedhjen e saj, me qëllim përfitimin e siguracionit.

Në njoftimin për media gjithashtu bëhet e ditur se janë proceduar penalisht edhe dy të tjerë, banues në Kavajë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas, për vjedhjen e automjetit të tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Insurance”.

Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. G., 27 vjeç, dhe B. G., 21 vjeç, të dy banues në Finlandë. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit V. K., 49 vjeç, dhe I. K., 24 vjeç, të dy banues në Kavajë”, thuhet në komunikatë.

Dy vëllezërit (S. G., dhe B. G.) kanë bërë kallëzim  të rremë për vjedhjen e automjetit të tyre BMË X6, të cilin e kanë shitur te shtetasit V. K., dhe I. K., me qëllim përfitimin e siguracionit të automjetit.

Në cilësinë e provës materiale bëhet e ditur se u sekuestruan 6 mijë e 800 euro dhe pjesët e automjetit që janë gjetur në një pikë shitjesh automjetesh, në Kavajë.

“Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/