Telegrafi

Arrestohen dy të rinj në Mitrovicë, dyshohet se hodhën granatë dore në afërsi të një kafiterie në shesh

Foto: Ilustrim

Dy të rinj janë arrestuar këtë të mërkurë në Mitrovicë pasi dyshohen për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia njofton se A.D 25-vjeçar dhe G.H 20-vjeçar dyshohet se më 9 qershor të këtij viti kishin hedhur granatë dore në afërsi të një kafiterie në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

“Me datë 09.06.2023, rreth orës 03:25 ishte raportuar se në sheshin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë kishte ndodhur një shpërthim në afërsi të një lokali (kafiterie). Në bazë hetimit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes, dyshohej se mjeti shpërthyes kishte qenë granatë dore”, thuhet në komunikatën për media.

Shpërthimi thuhet se kishte ndodhur në afërsi të derës së hyrjes së lokalit dhe si pasojë kishte pasur dëme materiale në atë lokal e gjithashtu ishin dëmtuar xhamat edhe të dy lokaleve të tjera.

“Në lidhje me rastin ishte njoftuar prokuroi dhe sipas udhëzimeve të tij ishte iniciuar rasti për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të DRP-Mitrovicë Jugu kishin zhvilluar hetime intensive disa mujore në lidhje me këtë rast dhe kishin arritur të siguronin prova materiale të rëndësishme për identifikimin e personave të dyshuar”.

“Provat i ishin prezantuar prokurorit dhe pasi ishte siguruar Urdhëresa për kontroll nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, hetuesit rajonal sot me datë 23.08.2023, kanë realizuar kontrollin në një lokacion dhe kanë gjetur prova të reja të cilat janë sekuestruar. Pas kontrollit, në bazë të dyshimit të arsyeshëm janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale në fjalë”, bëhet e ditur tutje.

Sipas policisë, të dyshuarit janë intervistuar dhe pas intervistimit me Aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. /Telegrafi/