Telegrafi

Arrestohen dy të dyshuar për marrje të ryshfetit për patent shofer

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, njofton se në fillim të muajit shtator 2019, ka pranuar informacionin; se zyrtarë të Departamentit të Patentë Shoferëve në Prishtinë, dyshohet se janë duke marr ryshfet me qëllim që kandidatët për patentë shofer të kalojnë testin teorik.

Sipas njoftimit për media hetuesit policor pas grumbullimit të të dhënave paraprake, ka njoftuar organet e drejtësisë dhe ka siguruar urdhëresën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për masa të fshehta të hetimit.

“Pas një hetimi dy javor, sot më 18.09.2019, janë arrestuar si të dyshuar dy persona nën dyshim për përfshirje në veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Pranimi i ryshfetit ne sektorin privat”. Të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim, njëri si ndërmjetësues i ka pranuar të hollat (në rastin konkret 500 €), kurse tjetri në cilësinë e ekzaminerit ndihmon gjatë procesit të provimit teorik duke i treguar përgjigjët e sakta”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit Policia ka arrestuar të dyshuarit: G.K. viti i lindjes 1973, m/k/sh dhe E.Zh. viti i lindjes 1967, m/k/sh.

“Gjatë kontrollit, në prezencë të avokatit mbrojtës, tek të dyshuarit janë gjetur 500 € që janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë “Simulim i veprës së korrupsionit”. Me aktvendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje prej 48 orëve”, thuhet në njoftim./Telegrafi/