Site icon Telegrafi

Arrestohen dy të dyshuar për hedhjen e granatës nëntorin e vitit 2023 në Prishtinë

Një 19-vjeçar dhe një 21-vjeçar janë arrestuar sot si të dyshuar për hedhjen e një granate dore, nëntorin e kaluar në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti ka ndodhur më 22 nëntor të vitit 2023 rreth orës 23:45. Atëherë dy persona kishin deklaruar në Polici se nga shpërthimi ishin dëmtuar pronat e tyre.

Tani të arrestuarit me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit thuhet se janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.

“Arrestimi i të dyshuarve; Sh. S., mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, K. S., mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, respektivisht sigurimi i prezencës së tyre, erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme operativo-policore, në kuadrin e procesit hetimor të këtij rasti”.

“Përderisa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndaj të dyshuarve me autorizimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, nga neni 356, si dhe, ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’, nga neni 366”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Exit mobile version