Telegrafi

Arrestohen dy shtetas të Serbisë në Leposaviq – po kontrabandonin mallra përmes rrugëve ilegale

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 05:30 njësitë policore kufitare nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu”, në fshatin Koshuticë, komuna Leposaviq, kanë ndaluar dy automjete, të cilat drejtoheshin nga dy vozitës të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë.

Personat e lartcekur dyshohet se përmes rrugëve ilegale me automjete kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga territori i Serbisë duke kontrabanduar mallra të ndryshme.

“Në njërin nga automjetet kishte të ngarkuar mall të kontrabanduar produkte të qumështit dhe miellit, ndërsa, në automjetin tjetër kishte farmerka, kërpudha dhe gazeta të mediave të shkruara të Serbisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me këtë është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij janë iniciuar dy raste “Kalim i paautorizuar i vijës kufitare apo vendkalimeve kufitare” dhe ”kontrabandim me mall”.

Malli dhe automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë bërë të ditur për Telegrafin se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit ndërkaq ndaj të njëjtëve është ngritur aktakuzë në mënyrë të drejtpërdrejtë. /Telegrafi/