Site icon Telegrafi

Arrestohen dy persona, njëri në Vushtrri e tjetri në Lipjan – gjuajtën me armë në ahengje familjare

Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Lipjan dhe në Vushtrri, pasi në ahengje familjare kanë shtënë me armë.

Policia njofton se në njërin rast, në fshatin Sllovi e Lipjanit, është arrestuar i dyshuari që në ahengun familjar ka shtënë disa herë me pushkë gjuetie.

Rasti është iniciuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Fsh. Sllovi, Lipjan, 02.08.2023 – 13:58. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në një aheng familjar kishte shtënë disa herë me pushkë gjuetie”, thuhet në raportin policor.

Pushka me leje është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Stanofc i Ulët në Vushtrri, ku është arrestuar i dyshuari që në një aheng familjar ka shtënë me armë zjarri.

Rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Fsh. Stanofc i Ulët, Vushtrri,  02.08.2023-21:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar”, bëhet e ditur tutje nga policia.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë si dhe nga i dyshuari janë konfiskuar një armë me gaz me një karikator i zbrazët.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version